Teknologjia ushqimore e drithërave, miellit dhe prodhimeve të përftuara prej tyre. Roli, historiku, rëndësia


Tema 1: Teknologjia ushqimore e drithërave, miellit dhe prodhimeve të
përftuara prej tyre. Roli, historiku, rëndësia.

1. 1. Objekti i teknologjisë së drithërave, miellit dhe prodhimeve të përftuara prej tyre.

Qëllimi i teknologjisë së drithërave, miellit dhe prodhimeve të tjera të përftuara prej tyre është përpunimi i lëndëve të para (drith, miell etj) deri në përftimin e prodhimeve të tjera me veti  të reja nga lëndët nistore.


Teknologjia ushqimore e drithërave, miellit e prodhimeve të përftuara prej tyre studion: larminë e prodhimeve ushqimore me bazë drithi;përbërjen kimike dhe biologjike të këtyre prodhimeve;shndërrimin e lëndëve me prejardhje bujqësore dhe blegtorale në produkte të gatshëm,që kanë zakonisht veti të ndryshme nga ato të lëndëve nistore;konservimin për një kohë të gjatë të këtyre prodhimeve me cilësinë e dëshiruar.

Teknologjia e drithërave,miellit e prodhimeve të përftuara prej tyre  plotëson tri kërkesa kryesore:1.Furnizon konsumatorin me prodhime ushqimore të domosdoshme, të shumëllojshme me shije të këndëshme dhe me vlera ushqyese të cilësisë së lartë. 2.Prodhimet ushqimore që janë më pak të qëndrueshme i kthen në prodhime të qëndrueshme. 3.Siguron për konsumatorët furnizim ritmik gjatë katër stinëve me shumëllojshmëri prodhimesh ushqimore.

1.2. Kultura e përgatitjes së prodhimeve me bazë brumi.
Drithërat kanë qënë e janë ushqim bazë i popullsisë për gjithë popujt e botës.Njerëzit kanë zhvilluar kulturën e lashtë të kultivimit e përdorimit të drithërave,të përgatitjes së bukës e prodhimeve të tjera të brumit.Në shekuj kjo kulturë ka ndryshuar nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm social,kulturor,ekonomik.Lëvizja e njerëzve,zhvillimi i teknologjisë,përmirësimi i komunikimit dhe dëshira e njerëzve për të provuar shije të reja kanë bërë që në vende të ndryshme të botës krahas zhvillimit të vihen re edhe huazime të traditave të vendeve të tjera, ndikime dhe ndërthurje të kulturave kulinare në përgjithësi si edhe në prodhimin e miellit,bukës dhe prodhimeve me bazë brumi.Sot, në vende të ndryshme të botës si edhe në vendin tonë gatuhen shumllojshmëri të bukëve dhe prodhimeve me bazë brumi me origjinë nga popuj të ndryshëm.

1.3. Tradita e prodhimeve të brumit në vendin tonë.
Buka si emërtim e ka prejardhjen nga latinishtja,buka (gojë,faqe e fryrë,bulçia).Buka nga Ilirët e paraardhës të këtij populli si ushqim është përdorur së paku që nga Neoliti.Për këtë na flasin gjetjet arkeologjike.Në Shqipëri,buka e zakonshme e përdorur nga popullsia ka qënë buka nga mielli i grurit.Nga nevoja bujqit përgatitnin edhe bukë të përzier me pak miell elbi, thierza,qiqra ose misri si dhe bukë vetëm me miell misri.Buka e thekrës gatuhej rrallë.Mielli i thekrës,në disa zona përdorej për të bërë kulaç e peksimadhe dhe përdorej nga barinjtë,pasi ruhej gjatë.Në Malësi të Gjakovës dhe Tropojë është bërë buka dhe nga gështenja të miellëzuara,në mungesë të drithit.Buka,piqej sipas rastit,vendit dhe kohës në prushin e zjarrit të vatrës. Përgjithësisht,më së shumti në shek. XVIII-XX, në fshatra buka është pjekur në furrë me argjil,që e kishte çdo shtëpi. Pjekja e bukës ishte një nga punët më të çmuara dhe më të vlerësuara të punëve të shtëpisë për gratë e fshatit.Kjo teknikë trashëgohej nga gjenerata në gjeneratë.Buka është respektuar si gjë e shenjtë dhe para saj bëheshin lutje.Në popull dëgjohen dendur shprehje të tilla me simbolika të caktuara: "Për këtë bukë!", "Më vraftë buka!" etj.
Ishte e ndaluar që mbetjet e bukës të hidheshin në vende të papastra apo të shkeleshin më këmbë. Ato mund të hidheshin në hirin e zjarrit,në vende ku nuk i shkel njeri,varroseshin në tokë,apo edhe u jepeshin shpendëve a bagëtive.
Bukët rituale ishin kudo të pranishme në festa me rite pagane,në ato krishtere a islame,që shoqëronin ritualet e urimet për mbarësi,për shëndet,për fat të mirë në të ardhmen. 

1.4. Evolucioni i Teknologjisë së përpunimit të brumrave.
Në ditët e sotme,me zhvillimin ekonomik të vendit si në çdo fushë tjetër edhe në fushën e përpunimit të prodhimeve me bazë brumi vihen re ndryshime të shpejta.Kështu: janë përmirësuar dhe modernizuar teknologjitë e prodhimit; janë shtuar prodhimet e tregëtuara; është përmirësuar cilësia e prodhimeve; janë huazuar nga vende të ndryshme prodhime e teknologji të  përpunimit të brumërave;është përmirësuar kultura e tregëtimit; janë gërshetuar tradicionalia me modernen në pothuajse çdo linjë të prodhimeve me bazë brumi si:bukë, makarona,biskota,lakrorë,byrekë,kulaçë,pica,kruasan,sanduiçe,pite,petulla etj;

Comments